Siç ndodh pothuaj me të gjitha çiftet e krijuara brenda “reality show”-t ”Big Brother”, edhe Ermal Merdani e Françeska Jaçe nuk u kanë shpëtuar thashethemeve të para për një krisje në lidhjen e tyre, ndërsa është përhapur me shpejtësi lajmi i ndarjes vetëm pak ditë më parë.

Ndërkohë që në profilet e tyre zyrtare në facebook ata ende janë në lidhje me njëri-tjetrin, në disa portale të njohura në internet kanë filluar të qarkullojë komentet e para se tashmë nuk janë më bashkë, pasi para pak ditësh janë parë në të njëjtin plazh të Dhërmi, por secili në punë të vet.
Është folur se çifti është parë të argëtohet secili me shoqërinë e tij, duke shpërfillur njëri-tjetrin. Në lidhje me këtë fakt, Ermali pohon: “Asgjë nuk është e vërtetë, pasi ne nuk kemi qenë me pushime të mirëfillta, por thjesht kemi kaluar ditë sporadike në plazhet e Jugut, dhe unë kam qenë duke shoqëruar disa miq të mi në plazhin e Dhërmiut”.
Ai ka sqaruar më tej: “Gjithçka e shkruar është një gënjeshtër e pastër pasi momentalisht unë dhe Françeska jemi bashkë, dhe ndihemi shumë mirë me njëri-tjetrin”. Pyetjes se nëse kanë kuptuar se këto lajme janë një dashakeqësi e personave të caktuar ndaj tyre, Ermali përgjigjet: “Mua nuk më intereson nëse bëhet fjalë për xhelozi apo dashakeqësi nga disa njerëz të caktuar, por nuk mund të përjashtohet ky fakt, pasi gjithmonë ka njerëz të tillë që shohin më shumë punët e të tjerëve.
Unë mund të them se ne nuk kemi kaluar pushime të ndarë, por thjesht kanë qenë momente të veçuara në plazh, që në fund të fundit s’ka asgjë për t’u çuditur, pasi një çift s’është e thënë të jetë non stop bashkë. Aktualisht ne s’kalojmë 24 orë bashkë, pasi unë jetoj në Tiranë dhe Françeska në Vlorë, kështu që udhëtojmë edhe unë edhe ajo për t’u takuar.
Gjithsesi kontaktojmë shpesh në telefon, dhe mund të them se lidhja jonë është në momente vërtet të mira dhe qetësie”. Po ku do i kalojnë pushimet e tyre si çift? Ermali thotë se “Deri tani ne nuk kemi bërë pushime të mirëfillta dhe, me paratë e fituara si finalistë të “Big Brother 5”, do udhëtojmë drejt Korfuzit.
Më tej, ai sqaron se: “Pasi të kthehemi nga pushimet, Françeska do të udhëtojë drejt Tiranës ku do të jetojë tani e tutje, dhe kështu do jemi më afër njëritjetrit”.
Kjo vjeshtë pritet të ndryshojë edhe jetën e tyre profesionale. Ermali ka marrë ofertë për t’u shfaqur në ekran gjatë sezonit të ri televiziv me një program mëngjesi në “Vizion Plus”, ndërsa Françeska do të zhvendoset në Tiranë për të përfundur vitin e katërt të gjimnazit, që nuk mundi ta mbyllte me hyrjen në “Big Brother 5”.
Ndërkohë që po ashtu dhe Fançeska, 18 vjeç, e cila është marrë me modelim, ka pohuar se njësoj si Ermali ka pasion televizionin, ndaj s’është çudi që ta shohim në ekran këtë sezon të ri televiziv.
Ndërkaq 25- vjeçari Ermal Merdani hyri në “Big Brother 5” me një synim të mirëmenduar, pikërisht që të bëjë realitet ambicien për të qenë një moderator programesh televizive me audiencë. Aventurën e tij në BB ai e përjetoi në çift me Françeskën, duke krijuar kështu të vetmin çift të këtij edicioni.
Pas daljes nga “BB”, çifti i njohur kanë marrë shumë oferta për të realizuar sete fotografish të ndryshme, ndërsa janë konsideruar çifti i verës. Në një set fotografish që kanë qarkulluar në internet, ata preferuan të shfaqeshin si në vitet ’60-’70, duke shkëmbyer puthje e përkëdhelje me njëri-tjetrin.
Me fotot e tyre në pishina apo plazh jo vetëm në shoqërinë e njëri-tjetrit por edhe të miqve të tyre, ata kanë dhënë idenë e një çifti të lirshëm që nuk vuan nga xhelozia e sëmurë, siç ndodh shpesh me të gjitha çiftet e krijuar në BB, që ndihen të tensinouar pas përfundimit të lojës.
Pas daljes nga shtëpia e vëzhguar, ata u takuan me familjet e secilit dhe udhëtuan bashkë në vendlindjet e tyre, duke e njohur njëritjetrin jashtë mureve të shtëpisë. Ndërkohë që të dy kanë marrë oferta të ndryshme që, përveçse të jenë në kopertina të revistave, të mund të bëhen imazh i ndonjë kompanie.

Categories:

Leave a Reply