Reputacioni i saj është i padiskutueshëm. Muajt e vërës në Shqipëri ajo tërhoqi vëmendjen e kritikës dhe të medias. Megjithatë ajo i anashkaloi për mrekulli skandalet me shtypin kurioz. Në këtë intervistë për gazeten “Telegraf” ajo tregon se si është jeta e saj në USA dhe çfarë ndryshimi ka me jetën që ajo ka bërë në Shqipëri. Sukseset e Bleonës renditen dita-ditës, pasi ajo tashmë, përpos filmit që ka luajtur me aktorin e njohur Steven Seagal, ka në përfundim edhe albumin e ri të saj, i cili do të jetë i gjithi në anglisht. Rrëfimet e Bleonës për fëmijërinë tregojnë se ëndrra e saj për të qenë një këngëtare e famshme u realizua. Ajo i premtoi publikut shqiptar se do të kthehej së shpejti me një tur nëpër Shqipëri, dhe këtë  e realizoi me sukses.


Bleona që e vogël e mban të ndezur dashurinë për skenën dhe këngën. A ka pasur ndonjë arsye në jetën tënde kur ke menduar, qoftë edhe për një çast, të lësh gjithçka?
Ka pasur momente kur kam qenë vërtetë shumë e lodhur mbas ndonjë turneu, koncerti ose zënke me promotorët e koncerteve, por në asnjë mënyrë nuk kam menduar të lë muzikën, qoftë edhe për një çast. Më beso, që kam pasur vërtetë shumë raste të zgjedh një tjetër lloj jete, mirëpo Bleona si person nuk ka kuptim pa Bleonën si këngëtare. Muzika ka një vend të pazëvendësueshëm në jetën time si asgjë tjetër.
Cilat ishin pengesat e tua të momentit dhe kush të qëndroi më afër gjatë asaj kohe?
Pengesa e vetme ishte që në moshën 13-14 vjeçare mami dhe babi vendosën që unë të mos vazhdoja me këngën dhe më futën në gjermanisht në shkollë të mesme dhe unë mbasdite ikja në prova në teatrin “Skampa” pa iu thënë asgjë. Mami kujtonte që kisha shkollë edhe mbasdite derisa në fund mbasi mbaruam provat i ftova në koncert. Pastaj në1994 më në fund u dorëzuan dhe më lanë të shkoja në konkursin e festivalit të dhjetorit  ku unë fitova. Aty u bindën dhe pranuan. Ajo ka qenë një nga ditët më të lumtura në jetën time.
Cili është kujtimi më i bukur që ke nga fëmijëria jote?
Sigurisht që lidhet me skenën… Unë i kam dhënë lule Ramiz Alisë kur isha në shtëpinë e pionierit, në Korçë, kur ai erdhi për 100 vjetorin e Mesonjëtores, në mos gaboj në 1987. Dhe sigurisht atëherë isha shumë aktive në rrethin e këngës dhe të violinës në shtëpinë e pionierit të Korçës, pastaj më vonë edhe në Elbasan. Jo të gjithë fëmijët kanë mundësi t’i japin lule presidentit në atë moshë!… Pastaj kujtimi tjetër në 1996 ishte takimi me presidentin Berisha kur fituam zgjedhjet e ‘96-tës në koncertet e “Vizion Plus”. Janë gjëra që nuk mund të harrohen.
Kishe talent të lindur domethënë?
Po, që kur isha fëmijë shkoja çdo ditë në turizëm me mamin e babin për të pirë aranxhatën e famshme dhe për të ngrënë akulloren e mbasdites. Sigurisht atje e çmenda gjithë turizmin e Korçës ku dhe mbaja koncert për kamerierët. Dilja kërceja dhe këndoja nëpër sallë. Mami im e kujton dhe sot.
Cili ishte idhulli i yt atë kohë? A mendon se e ke arritur suksesin që mendoje?
Parashqevi Simaku dhe Irma Libohova janë ato që ëndërroja të arrija. Unë gëzoja një muaj përpara kur vinte Festivali i Dhjetorit. Përsa i takon suksesit pastaj gjërat janë ndryshe dhe sigurisht suksesi është relativ, meqë bëhet fjalë për kohë të ndryshme
Duke qenë se je shumë e famshme si në Shqipëri, tashmë edhe në USA , duam të dimë pak ndryshimin mes këngëtarëve këtu dhe këngëtarëve atje?
Këngëtarët në Shqipëri kanë përveç talentit dhe aftësinë e menaxhimit të Pr, të stilistit në shumicën e rasteve, kurse këngëtarët në Amerikë nuk bëjnë asgjë vetë përveç stërvitjes dhe skenës. Të gjitha gjërat e tjera janë të përgatitura nga ekipi i tyre, që zakonisht është 10 -15 veta, menaxher, Pr, asistent trajner, etj.
Jeta juaj në USA, në cilin qytet jeton? Si është ai?
Unë jetoj në Bev Hills. Jeta ime këtu është pak robotike, por kjo është mënyra e jetës që kam zgjedhur. Tani kam marrë dhe mamin me babin dhe të paktën gjërat fondamentale janë thjeshtësuar pak. Të paktën kafen e gjej gati kur çohem në mëngjes.
Si është një ditë e zakonshme e jotja?
Zgjohem në mëngjes, pi një lëng perimesh me të gjitha vitaminat e duhura shikoj trajneren Tracy Anderson për 1.30 min ose 2 orë, pastaj shikoj profesorin a kantos Ëilliam riley për 30 min, pastaj në darkë kam të gjitha takimet dhe telefonat dhe e e-mail-et për t’iu përgjigjur, dhe në darkë jam në studio…
Gjatë kohës që keni ikur në USA, në Shqipëri nuk kanë munguar hamendësimet për karrierën tuaj. Cila është ajo gjë e thënë nga gazetat që të ka mërzitur më shumë?
Unë nuk mërzitem me gazetat. Babi im ka një shprehje: Pema me kokrra, gjuhet!
Më thatë kur kontaktuam që axhenda juaj është e stërmbushur, më bën kurioz të di sesi i përballoni të gjitha? 
Ja kështu… Herë me gjumë, herë pa gjumë. Unë jam gjithmonë në celular dhe e-mail. Kur kam ndonjë udhëtim në Europë të gjithë flenë në avion, përveç meje që jam non stop në kompjuter.
Ju jeni krahasuar nga publiku shqiptar me mbretëreshën e pop-it, Madonën. Të pëlqen ky fakt? E simpatizon atë?
Sigurisht që më pëlqen Madonna. Për mua ka krijuar një karrierë të jashtëzakonshme.
Ke pasur rastin ta takosh personalisht?
Ajo është fantastike dhe një starë i vërtetë në çdo moment. E kam takuar këtë vit në Oscar after-party që organizonte në shtëpinë e saj.
Përpos këngës tani fansat e tu do të kenë mundësi të të shikojnë edhe në rolin e aktores. Si të erdhi oferta për të marrë pjesë në telefilmin “True Justice” përkrah aktorit të famshëm Steven Seagal?
Unë jam njohur me Stiven 3 apo 4 vite më parë dhe një ditë marr një telefonatë nga ai duke më lajmëruar se kishte një pjesë filmi që duhej të realizohej nga një shqiptare. Ai më tha se i duhej një vajzë me akcent të huaj dhe unë pranova të marr pjesë në audicione. Kur shkova dola fituese dhe kështu personazhin nga Andalusia e bëmë shqiptare.
Tani jeni në fazën e provave apo ky film është përfunduar? Si është Steven Seagal nga afër?
Filmi tashmë ka përfunduar. Sa për Stivin mund të them që është artist shumë i aftë. Unë njihem me gjithë familjen e tij dhe ata janë fantastikë.
Dihet tashmë që po merreni me albumin, të cilin do e realizoni të gjithin në gjuhen angleze, për sa kohë mund ta përfundoni?
Është çdo gjë në prag të përfundimit.
Në cilën rrymë janë këngët në album?
Pop.
Me sa klipe do të shoqërohet?
Dy apo tre.
Ku do te xhirohen?
Këtë nuk e kam vendosur akoma, por drejtori është Ray Kay.
Le të flasim pak për raportet shoqërore. Si kanë qenë ato kur ishe në Shqipëri. A i mban kontaktet me miqtë e tu edhe atje apo ke zënë miq të rinj?
Sigurisht që i mbaj raportet me miqtë e vjetër.
Cilat janë markat që po vesh më shumë Bleona në USA ?
Cavalli, Versace, Balmain dhe pastaj Designer Amerikan që bëjnë stampë vetëm për mua.
Sa ka qenë shpenzimi juaj më i madh që keni bërë për një veshje?
Nuk dua të përmend çmime.
Shumë thonë që moda amerikane lë pak për të dëshiruar, ose, më mirë të themi, nuk është se njerëzit i kushtojnë shumë rëndësi… A është e vërtetë kjo gjë?
Shumë e vërtetë. Bile mua më kërkojnë që të vesh xhinse, gjë që nuk ndodh.
Cila është diçka që s’të pëlqen aspak atje?
Falsiteti.
Bleona, a e konsideron veten një njeri me fat?
Sigurisht, po ne themi fati duhet kapur për flokësh.
Cili është kujtimi më i bukur që keni në jetë?
Nuk di ç’të them, kam shumë!
- Ju kanë mikëpritur në USA ?
Artistët janë artistë në gjithë botën.
Jeni tip që kërkon më shumë falje apo fal më shumë?
Që fal më shumë!
Publiku shqiptar, një mesazh për të…
Do të kthehem së shpejti me një tur të paparë! Ju dua shumë, shumë, shumë dhe më mungoni pa masë.
Kur kalon nëpër rrugë ju njohin si në Tiranë?
Gjithmonë më kanë njohur si Bleona.
Këtë verë ën Shqipëri si u ndjetë?
Si mos më mirë. Mes fansave ndihesh gjithmonë e mikluar. Për çdo vit shikoj se në atdheun tim kam më shumë fansa dhe njerëz që më falin dashuri.

Categories:

Leave a Reply