Shifrat e papunësisë janë rritur dukshëm në gjithë botën. Njerëzit gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për të mbijetuar.
Gjithsesi, puna që gjeti 22-vjeçari Jamie Fox është vërtet mjaft e veçantë, madje shumë prej nesh nuk e kemi ditur më parë se mund të ekzistonte një punë e tillë.
Në fakt, as Fox nuk e kishte të parën në listë kur mbaroi universitetin, por jeta është plot surpriza.
Por çfarë pune bën ky 22-vjeçar i diplomuar? Ndoshta duket e pabesueshme, por ai bën punën e dordolecit. Po, është e vërtetë, shkon në një arë dhe bën punën e dordolecit. Kohën e kalon duke luajtur firzamonikë apo duke lexuar libra.
Fox përfundoi studimet e larta për muzikë, ndërsa tani tremb zogjtë apo kafshët nga fushat e pronarit të tij në Norfolk. Dhe nuk merr pak, ai paguhet plot 310 euro në javë, që do të thotë 1.240 euro në muaj.
I riu shprehet se ndjehet mirë në ajër të pastër. “Kam shumë kohë për të lexuar dhe kur shfaqen zogjtë, ngrihem dhe i tremb”, përshkruan ai punën e tij.
“Është pak problem kur bën ftohtë apo fryn erë, ndërsa kur bie shi, gjej ndonjë vend për t’u mbrojtur”.
Fox mendon se do të punojë rreth një vit si dordolec dhe pasi të ketë mbledhur ca para, do të udhëtojë për në Zelandën e Re.
“Nuk do të jem dordolec për gjithë jetën, por kjo punë do të më ndihmojë ekonomikisht për të vendosur për të ardhmen time”, thekson ai.
Categories: