E krijuar për herë të parë nga Dr. John Stith Pemberton në vitin 1886, Coca-Cola është shndërruar në markën me shitjet më të mëdha të pijeve freskuese në botë. Duke marrë parasysh gjithë këtë sukses, Coca-Cola është mbuluar në shumë raste për efektet negative të saj mbi shëndetin.
Cilët janë përbërësit e kësaj pijeje?
Coca-Cola ka një formulë që ruhet me tepër besnikëri nga kompania mëmë dhe sot vetëm hamendësohet mbi të. Përveç kësaj, çdo kompani dytësore në vendet përkatëse ka një formulë të vetën që ndryshon pak nga ajo e kompanisë mëmë. Pavarësisht këtyre, ajo që dimë për Coca-Cola është që përmban ujë të gazuar, sheqer, aspartam (ëmbëlsues me pak kalori), ngjyruesin 4-metilimidazol (4-MI), kafeinë, acid fosforik, sasi gjurmë (shumë të vogla) alkooli dhe substanca të tjera aromatizuese, konservuese etj.
Ngjyruesi 4-metilimidazol
Jo më larg se disa javë më parë në Britaninë e Madhe bien këmbanat e alarmit për efektet negative të këtij ngjyruesi. Gjithashtu, në SHBA (Kaliforni) autoritetet kërkojnë që të gjitha pijet që përmbajnë këtë ngjyrues (në sasi mbi 30 mikrogramë) të vendosin një tabelë paralajmëruese në produktet e tyre. Në këtë mënyrë ia lënë konsumatorit zgjedhjen nëse do ta konsumojë produktin apo jo. E gjitha kjo sepse ky ngjyrues ka rezultuar se është kancerogjen në testet laboratorike me minj. Për këtë arsye, Coca-Cola në SHBA ka ndryshuar procesin e prodhimit për të pakësuar nivelet e kësaj substance. Por në vende të tjera ende nuk është marrë një masë e tillë. Sasia e 4-MI e gjetur në kanaçet e Coca-Cola në Britani është 135 mikrogramë, ose rreth 34 herë më e lartë se sa në SHBA. Sa është kjo vlerë në vendin tonë? Këtë nuk e dimë, por dimë që në çdo vend sasia e kësaj substance është më e lartë se në SHBA, duke filluar nga 56 mikrogramë në Kinë e deri në 267 mikrogramë në Brazil.
Categories: